Kurti: Raportet Kosovë - Serbi nuk janë normale, synojmë normalizimin e tyre
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot rreth zhvillimeve të fundit në aspektin energjetik, pra nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, si dhe situatën politike.
Në një paraqitje televizive nga Uashingtoni për Zërin e Amerikës, Kurti ka përmendur edhe raportet Kosovë - Serbi.
Sipas kreut të ekzekutivit, të njëjtat nuk janë normale dhe se duhet punuar për normalizimin e tyre.
Për këtë çështje, Kurti ka thënë se si qeveri janë të gatshëm për një gjë të tillë.
Tutje konfirmoi se sekretari Blinken është partner i madh i këtij dialogu, që njohjen reciproke duhet ta ketë në qendër.
“Normalizimi i marrëdhënieve bëhet me dialog, i cili duhet të ketë qëllimin e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, të përqendruar në njohje reciproke. Dhe këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken, i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës”, deklaroi Kurti.
