Kurti pret në takim Admiralin amerikan, Wikoff – thekson synimin për anëtarësim të Kosovës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan George M. Wikoff.
Siç thuhet në njoftim, Kurti e uroi admiralin Wikoff për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim.
Kryeministri gjithashtu citohet të ketë vlerëuar komunikimin dhe ndërveprimin e ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe synimin e Kosovës "për anëtarësim të plotë në NATO, si përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Kryeministri shtoi se siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj."
Ai ka shtuar se Kosova përbën një rrëfim suksesi të ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, shtetndërtimit demokratik dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.