Kurti përkujton masakrën ndaj familjes Deliu: Një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit serb
Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar 23 anëtarët e familjes Deliu nga fshati Abri e Epërme të Drenasit në 24 vjetorin e masakrës, të cilët u masakruan nga forcat serbe.
Kurti me shkrimin e tij në Facebook, ka deklaruar se trashëgimia e luftës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Kosovës.
“Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Trashëgimia e luftës së Kosovës është përgjegjësi edhe e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj ne nuk harrojmë dhe do të punojmë për njohjen e gjithë historisë së luftës së Kosovës dhe adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë”, ka thënë ai.