Kurti me fjalë të mëdha për diasporën: Çdo mërgimtar është ambasadori ynë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në “Karvanin e Diasporës”, i cili përfundoi sot në Komunën e Podujevës. Ky aktivitet, i cili nisi pak ditë më parë me ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindjet e tyre, organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të Arsimit, Shkencës, Teknologjia dhe Inovacioni.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij para shumë bashkatdhetarëve falënderoi ata që, tha ai, na bashkuan këtu pranë memorialeve të heronjve dhe dëshmorëve, të atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë.
“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, tha kryeministri, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Më tej, ai tha se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit.
Kryeministri Kurti, tha se me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kemi nis fushatën që e mbështet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që quhet “Karavani i Diasporës”, kemi nis dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.
Ai tha se ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, dhe me ministritë tona do t’ju ndihmojmë për këtë gjë. Në veçanti e kemi programin “Diplomacia qytetare”, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni.
