Parkingu pa pagesë për mërgimtarët – A po diskriminohen qytetarët e tjerë? - NACIONALE

Parkingu pa pagesë për mërgimtarët – A po diskriminohen qytetarët e tjerë?

4 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Sa herë që vijnë muajt e verës, komunat tregohen mjaft zemërgjera. Ua ofrojnë mërgimtarëve parkingun pa pagesë.

Gazeta Nacionale ka siguruar vendimet e ngjashme që kanë marrë komunat e Suharekës dhe të Podujevës.

Komuna e Podujevës dhe ajo e Suharekës, kanë marrë vendim që ta lëshojnë oborrin e Komunës dhe hapësira të tjera të cilat janë pronë e komunës, për parkingun e veturave me tabela të huaja, pa pagesë. Ky vendim në dukje human, megjithatë mund të mos jetë krejt i tillë.

Në vendimet e komunave të lartpërmendura, vërehet se mungon baza juridike e arsyeshme për një vendim të tillë.

Madje vendimet janë krejt të mangëta në aspektin juridik. Kjo pasi kryetarët thirren vetëm në kompetencat e tyre për të marrë vendime të tilla, përderisa nuk ka ndonjë nen konkret të ligjit që duhet të zbatohet.

Vendimi i Komunës së Podujevës – lëshimet juridike

Në vendimin e Kryetarit të komunës së Podujevës bëhet e ditur se nga data 1 korrik e deri me datën 31 gusht 2022, oborri i komunës do të mund të shfrytëzohet për parking pa pagesë për veturat me tabela të huaja.

Hapësira në pjesën e përparme brenda oborrit të ndërtesës së re të Komunës lejohet për shfrytëzim të parkingut të automjeteve me targa të huaja nga bashkëatdhetarët të cilët qëndrojnë për pushime në Komunën e Podujeves, dhe jo vetëm. Hapësira lejohet për shfrytëzim 24 orë dhe atë pa pagesë,” thuhet në vendim.

Në pjesën e sipërme të vendimit, aty ku duhet të tregohet baza juridike e tij, përmenden vetëm një nen i ligjit dhe një nen i statutit të komunës.

Neni 13, i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në të cilin thirret komuna e Podujevës, thotë kështu: “Kryetari i Komunës ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime brenda fushës dhe kompetencave të tij

Sqarim: Kryetari ka të drejtë të nxjerrë vendime brenda kompetencave të tij, por vendimet duhet të jenë të bazuara në ndonjë ligj të caktuar.

Cilin ligj e ka zbatuar kryetari brenda kompetencave të tij? Kjo nuk thuhet askund.

Neni i statutit të komunës në të cilin thirret komuna e Podujevës, është vetëm përsëritje e ligjit: “Kryetari i Komunës ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa dhe vendime brenda fushës së kompetencave të tij”, thuhet aty.

Krejt vendimi është i bazuar në vetëm këto dy dispozita. Pra, kryetari ka të drejtë të nxjerrë vendime. Por vendime brenda ligjit dhe në vendime duhet të saktësohet se cili prej ligjeve do të zbatohet me anë të atij vendimi.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një sqarim më të detajuar nga Zyra ligjore e Komunës së Podujevës për të kërkuar përgjigje se se cili prej ligjeve po zbatohet me këtë vendim të kryetarit dhe se a kemi të bëjmë me diskriminim të qytetarëve rezidentë, por nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi i Komunës së Suharekës

Për dallim prej vendimit të komunës së Podujevës, ai i Suharekës është më voluminoz sa i përket hapësirës së zbatimit e gjithashtu më i plotë në aspektin juridik.

Por, edhe në vendimin në fjalë, ka shumë hapësirë për interpretim.

Çka thuhet në vendim?

Ju lejohet hyrja në oborrin e Komunës të ggjitha automjeteve private, që janë me tabela të huaja (mërgimtarëve) nga data 05.07.2022 deri me datën 31.08.2022. Ju lejohet hyrja në tregun javor të gjitha automjeteve private që janë me tabela të huaja (mërgimtarëve) në datat e njejta si më lartë, duke perjashtuar ditën e Martë, e cila është ditë tregu në Suharekë.”

Baza juridike e këtij vendimi thirret në nenin 13 për Vetëqeverisje Lokale, sikurse rasti i Podujevës i cili përcakton përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës, ku thuhet se ka të drejtë të nxjerr vendime.

Gjithashtu vendimi bazohet në statuin e komunës i cili gjithashtu flet për Përgjegjësitë e Kryetarit, e njejtë me rastin e sipërpërmendur.

Dallimi i bazës ligjore ndërmjet vendimit të komunës së Suharekës dhe asaj të Podujevës, qëndron në atë se, komuna e Suharekës thirret në nenin 44 dhe 49 të Procedurës së Përgjithshme Administrative.

Neni 44 i cili flet për Aktin Administrativ thotë: “Akti administrativ është çdo manifestim vullneti i një organi publik, që rregullon në mënyrë të njëanshme një mardhënie juridike konkrete të së drejtës administrative me qëllim prodhimin e pasojave juridike. U drejtohet një ose disa personave individualisht të përcaktuar apo i drejtohet një grupi personash të përcaktuar apo të përcaktueshëm. Përcakton statusin sipas të së drejtës administrative të një objekti apo përdorimit të tij nga publiku.”

Cila është ndërlidhja që komuna i bën këtij neni dhe a është mjaftueshëm bindëse që nuk diskriminon qytetarët rezident në Kosovë?

Komuna e Suharekës i lidh nenin 44 me atë 49 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Neni 49 mban titullin “Panevojshmëria e arsyetimit” dhe aty thuhet:

Arsyetimi i aktit të shkruar nuk është i nevojshëm kur: përjashtohet shprehimisht me ligj, akti administrative i nxjerrë sipas kërkesës miraton në tërësi kërkesën e palës kërkuese dhe nuk i cenon të drejtat apo interest juridike të ndonjë pale tjetër. Akti administrative i nxjerrë sipas detyrës zyrtare nuk cenon të drejtat apo interest juridike të ndonjë pale

E para, me cilin ligj përjashtohet shprehimisht arsyeshmëria e vendimit për lejimin e parkingut për mërgimtarët? Nuk qartësohet.

E dyta, nuk dihet nëse kemi pasur kërkesë ose të paktën nuk është paraqitur askund zyrtarisht, për të argumentuar se ka qenë kërkesë e mërgimtarëve (veturat me tabela të huaja) të kenë qasje pa pagesë në objektin e komunës.

Dhe e treta, nuk është bindëse panevojshmëria e arsyetimit, me arsyetimin se nuk i cenon të drejtat apo interesat e ndonjë pale tjetër.

Diskriminim?

Në nenin 1 të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi përcaktohet qëllimi i këtij ligji.

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjyhes, shtettësisë etj.”

Tutje në nenin 2 ku flitet për Fushëveprimin e këtij ligji thuhet:

Ky ligj zbatohet për të gjitha veprimet apo mosveprimet, të të gjitha insitucioneve shtetërore dhe lokale, të personave fizik dhe juridik, të sektorit public dhe privat të cilët shkelin, kanë shkelur ose mund të shkelin të drejtat e çdo personi apo personave fizik dhe juridik, posaçerisht që kanë të bëjnë me: (e marim vetëm pikën 10) qasje dhe furnizim në të mira materiale dhe shërbime të cilat janë në dispozicion për publikun.

Në rastin e vendimit të komunave për lejimin e parkimit të veturës për mërgimtarët, në hapësirat që janë e mirë publikë e përbashkët, përcaktohet vetëm një komunitet i caktuar për ta shfrytëzuar këtë të drejt.

A kemi të bëjmë me pabarazi dhe diskriminim të tërthortë?

Në të njejtin ligj, në nenin 4 flitet për Llojet e trajtimit të pa barabartë, ndër to përcaktohet edhe Diskriminimi i tërthortë.

Konsoderohet kur një dispozitë, kriter ose praktikë e paanshme në dukje e vë e ka vënë apo do ta vë personin në pozitë të pabarabartë krahasuar me të tjerët, përceç në rastet kur dispozita, praktika apo kriteri i tillë mund të arsyetohet në pikëpamje objetive me një qëllim legjitim dhe mjetet për arritjen e qëllimit janë të përshtatshme dhe të domosdoshme.”

Pra, përveç në rastet kur dispozita apo praktika mund të arsyetohet në pikëpamje objektive. Siç u pa, ky favorizim i një grupi të caktuar nuk është arsyetuar në asnjë pikëpamje objektive.

Dhe tjetra, përveç mjetet për arritjen e qëllimit janë të përshtatshme dhe të domosdoshme. Por, a ekziston domosdoshmëria e favorizimit të mërgimtarëve?

Kushtet ekonomike si dhe situata në trafik, e thonë të kundërtën.

Nuk është sekret se kushtet ekonomike në Kosovë dallojnë shumë nga ato të mërgimtarëve. Jo rrallë diaspora quhet “infuzion” për ekonominë e Kosovës. Pra fuqia ekonomike e tyre është shumëfish më e lartë se sa ajo e banorëve rezidentë.

Prandaj, është shumë më e përballueshme ekonomikisht për mërgimtarët ta paguajnë parkingun, i cili zakonisht kushton 1 euro për orë, se sa për banorët rezidentë në Kosovë.

Problemi me ngarkesat në trafik, është problem i Kosovës të cilin duhet ta zgjidhin organet përgjegjëse, me vendime ligjërisht të drejta e që nuk ndërlidhen me veturat me targa të huaja.

Pra është e vështirë të arsyetohet domosdoshmëria e një veprimi të tillë institucional, për ta favorizuar një grup të caktuar.

Sqarim: Ky Artikull ka për qëllim ngritjen e debatit mbi ligjshmërinë e vendimit të komunave të sipërpërmendura, meqenëse zyrat ligjore të komunave përkatëse nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Lajme të ngjashme