Kurti e Nagavci e kapin kacinë, hedhin edhe një gurthemel të një çerdheje në Prishtinë
Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë një postim, duke treguar se së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ka hedhur një gurthemel të një çerdheje në Prishtinë.
Në postimin e saj, ajo tregoi se ndërtimi i çerdheve do të vazhdojë edhe në komunat e tjera me synim të përmirësimit të qasjes në edukimin në fëmijërinë e hershme.
“Edhe një çerdhe e re në Prishtinë, për të vazhduar edhe në komunat tjera.
Përmirësimi i qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme ka qenë objektiv i ynë qeverisës. Këtë po e realizojmë përmes ndërtimit të çerdheve të reja e sigurimit të hapësirave dinjitoze për fëmijët tanë”, shkroi zonja Nagavci.
Tutje, ministrja e MAShTI-së ka theksuar se secili fëmijë meriton kujdes institucional.
“Vazhduam sot me vënien e gurthemelit për objektin e ri të një çerdheje në Prishtinë e cila pritet të jetë e gatshme brenda 24 muajve. Ky objekt do të ketë sipërfaqe 1300 metra katrorë dhe është i destinuar për 120 fëmijë.
Do të vazhdojmë me planin tonë ndërtimin e çerdheve e kopshteve të reja sepse, secili fëmijë meriton kujdes institucional për zhvillim të shëndetshëm në fëmijërinë e hershme.”, përfundoi Nagavci.

