Kryetari i Zveçanit: S’kam vizita nga qeveritarët, por nuk na mungon komunikimi - nuk kam kërkesë për dorëheqje
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se nuk do të japë dorëheqje teksa ka shtuar se nuk ka vizita nga qeveritarët, por komunikimi me ta nuk dallon.
Ai nuk ka dashur të flasë për dorëheqjen pasi ka thënë se nuk ka deri më tani ndonjë kërkesë as nga qeveria e as nga ndërkombëtarët.
Tutje, ai ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
"Ka qenë një sulm terrorist i organizuar nga Serbia… Ka qenë një ditë shumë e vështirë për mua si kryetar komune, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpo, falë policisë gjithçka brenda asaj dite ka përfunduar mirë dhe tani situata është më e qetë dhe gjendja është stabilizuar pak në Komunën e Zveçanit… Një organizim aq i madh, me u sulmu policia në shtetin e vet, patjetër se po (Serbia duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare)… Për momentin jo (nuk do të jap dorëheqje), por të shohim. … Ende neve nuk na është dorëzuar diçka zyrtarisht për dorëheqje, as nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga ndërkombëtarët. Derisa nuk na vie diçka zyrtarisht, është shumë herët me dhënë një mendim rreth kësaj.” – ka thënë ai për Kosova Press.