Kryeministrja finlandeze: Edhe unë jam njeri, ndonjëherë kam mall për argëtim
Kryeministrja e Finlandës, 36-vjeçarja Sanna Marin tha dje gjatë konferencës për shtyp të Partisë së saj Socialdemokrate se po punon fort si kryetare e qeverisë.
Ajo shtoi se si kryeministre duhet të ketë të drejtën e jetës private dhe se edhe politikanët kanë të drejtë të argëtohen. Deklaratat e saj vijnë pasi pamjet e një feste në rezidencën e saj në Kesäranta ku Marin këndonte, kërcente dhe argëtohej u shfaqën javën e kaluar. Ajo dje ka kërkuar falje për fotot nga rezidenca e saj ku puthen femrat topless.
"Unë jam vetëm njeri. Java e kaluar ka qenë e vështirë... Ndonjëherë edhe unë dëshiroj argëtim në mes të reve të errëta", tha Marin në prag të lotëve, raporton Guardian.
“Kohën e lirë e kanë edhe politikanët dhe e kalojnë me miqtë”
Marin është personi më i ri në botë që mban postin e kryeministrit. Ajo ka thënë për publikun se nuk ka munguar asnjë ditë në punë.
“Dua të besoj se njerëzit do të shohin më shumë atë që bëj në punë sesa atë që bëj në kohën time të lirë. Unë mendoj për Ukrainën, mendoj për qytetarët dhe bëj punën time", tha Marin.
E pyetur nëse do të ndryshonte ndonjë gjë në sjelljen e saj, Marin tha se personalisht nuk sheh asgjë të keqe që politikanët të kenë kohën e lirë dhe ta kalojnë atë me miqtë. “I takon votuesve të vlerësojnë nëse është e përshtatshme për ta dhe të shprehin mendimin e tyre për këtë në zgjedhje”, tha kryeministrja finlandeze.
Shumë gra finlandeze kanë postuar video të tyre duke kërcyer dhe pirë për të treguar mbështetjen e tyre për kryeministrin, ndërsa Marin tha se shpreson që në vitin 2022 të pranohet që edhe ato që marrin vendime shtetërore të mund të kërcejnë, të këndojnë dhe të shkojnë në festa. /Nacionale/