KRU “Prishtina”: Hajvalia dhe Veterniku prijnë me kyçje ilegale në rrjetin e ujësjellësit
KRU “Prishtina” ka njoftuar se po vazhdon aksioni për identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa Hajvalia dhe Veterniku mbeten zonat me numrin më të madh të rasteve.
Sipas kompanisë, vetëm gjatë ditës së sotme në Hajvali janë identifikuar katër lidhje ilegale brenda pak orësh.
KRU “Prishtina” bën të ditur se edhe gjatë vitit 2026 po vazhdon trendi i kyçjeve të paligjshme, pasi gjatë vitit 2025 ishin evidentuar dhjetëra raste të tilla.
Nga kompania u është bërë thirrje qytetarëve të shmangin kyçjet ilegale, duke theksuar se ato dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit dhe ndikojnë negativisht në furnizimin me ujë për të gjithë konsumatorët.