KRU “Mitrovica” reagon pasi punonjësit iu drejtua arma gjatë kryerjes së detyrës: Policia ta trajtojë rastin me seriozitet - NACIONALE

KRU “Mitrovica” reagon pasi punonjësit iu drejtua arma gjatë kryerjes së detyrës: Policia ta trajtojë rastin me seriozitet

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A ka reaguar pasi njërit nga punonjësve të saj, dyshohet se iu drejtua arma e zjarrit gjatë tentimit për çkyçjen e një konsumatori.

Kjo kompani në një deklaratë për media ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera ta trajtojnë rastin me seriozitet.

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”.

“KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. dënon fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit dhe pengimit të punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare. Punonjësit tanë veprojnë në zbatim të përgjegjësive të tyre dhe meritojnë siguri dhe mbrojtje të plotë gjatë punës”, thuhet më tej në reagim.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë sëShtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që rastin ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë”, thuhet në reagim.

Më herët, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni deklaroi se i dyshuari ndohet në arrati.

“Personi në fjalë dyshohet për disa vepra penale, përfshirë ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje e paautorizuar e armës dhe përdorim i armës’”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme