“Krejt dhe drejt”, Hamiti kujton vitin 2021: Kurti dhe Osmani morën të gjithë pushtetin, Kosova po i vuan pasojat
Përderisa po zhvillohen takimet në mes të liderit të LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani me liderin e VV’së, Albin Kurtin, Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka rikujtuar moton elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit nga viti 2021, “Krejt dhe drejt”.
Ai ka thënë se kjo moto është realizuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me aleatët e tyre, pasi morën tri pozitat më të larta në vend, Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin, duke kontrolluar, sipas tij, të gjithë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.
Tutje ai tha se këtë pushtet absolut po e vuan Kosova edhe sot.
“‘Krejt dhe drejt’ e kishin moton elektorale në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 Vetëvendosja me aleatët, Albin Kurti me Vjosa Osmanin dhe të tjerët. E realizuan synimin: morën Presidencën, Qeverinë dhe Kuvendin, krejt pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ në vendin tonë. Pasojat e këtij pushteti absolut të këtyre 5-6 viteve po ia vuan Kosova sot”, ka shkruar Hamiti.