Memli Krasniqi kërkon drejtësi për viktimat e masakrës së Izbicës - NACIONALE

Memli Krasniqi kërkon drejtësi për viktimat e masakrës së Izbicës

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bëri homazhe në fshatin Izbicë ku para 24 vitesh ndodhi një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, me 147 të vrarë, nga regjimi serb.

Ai u shpreh se kjo masakër ka ndodhur për shkak se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Serbia e dinte se po iu vinte fundi, dhe e shtoi intensitetin e dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi njerëz të pafajshëm.

‘’Sot, kujtojmë dhe nderojmë 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vite më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm’’- shprehet Krasniqi në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Krasniqi gjithashtu iu kujtoi të gjithëve se janë mbi 400 masakra të kryera nga regjimi kriminal serb, mbi shqiptarët civilë të pafajshëm, ku gra, fëmijë e burra vriteshin gjithandej.

Ai bën thirrje për drejtësi të cilën akoma e kërkojnë familjet e viktimave, shoqëria e i gjithë shteti ynë.

‘’Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullësinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë.
Lavdi të përjetshme të rënëve të Kosovës – dritës e diellit së lirisë dhe të ardhmes tonë!’’
- shprehet Krasniqi.

Lajme të ngjashme