Kosovari në paraburgim në Serbi, MPJ: Do të kërkojmë leje që ta vizitojë familja-Kemi njoftuar BE-në
Autoritetet gjyqësore në Serbi kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila ka ndërmarrë hapa diplomatikë pas arrestimit të Maxhunit.
Përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, MPJD-ja ka njoftuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe ka dërguar notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi. Qëllimi, sipas ministrisë, është angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit kosovar.
Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt me familjen e Maxhunit. Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse pritet të paraqesë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së tij. Sipas MPJD-së, vizita pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër rastin dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të Kosovës.
Rasti i Maxhunit vjen në një periudhë kur arrestimet e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe për akuza të supozuara lidhura me periudhën e luftës së vitit 1998-1999.
Postimi i plotë i MPJ-së:
Shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni i caktohen 30 ditë paraburgim në Beograd
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh me pretendime për krime lufte të vitit 1999.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka njoftuar menjëherë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar notë verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Maxhuni. Vizita pritet të realizohet gjatë javës në vijim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës.