Kosovarët merakli të hoteleve, veç në korrik gati 54 mijë veta qëndruan në hotele
Përkundër ankesave që kanë vazhdimisht qytetarët për rritjen e çmimeve në vend, ata akoma qendrojnë pasionantë ndaj vizitave e qëndrimeve nëpër hotele.
Këtë e tregon më së miri edhe raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) - ‘Statistikat e Hotelerisë, Korrik 2022’, ku tregon se në korrik të këtij viti, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele në Kosovë ishte 53 mijë e 820.
Nga gjithë ky numër kaq i madh 28.64 për qind prej tyre ishin vendorë dhe 71.36 për qind të tjerë ishin të jashtëm.
Në krahasim me muajin qershor, numri i vizitorëve në muajin korrik u rrit për 16 mijë e 528 vizitorë pasiqë në muajin qershor u regjistruan vetëm 37 mijë e 292 vizitorë.
I njëjti raport, poashtu specifikon se numri i net-qëndrimeve për këtë kohë ishte 119 mijë e 580, prej tyre 23.31 për qind nga vendorët dhe 76.69 për qind nga të huajt.
Sa i përket numrit të pjesmarrësve të ndarë sipas rajoneve shihet se numrin më të madh të vizitorëve e kishte Prishtina me 16 mijë e 630 vizitorë, ndërsa numrin më të madh të net-qëndrimi e kishte Rajoni i Pejës me 48 mijë e 139 net-qëndrime.
Në anën tjetër, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë, Prizren e kështu me radhë. Siç thuhet në rapot, numri më i madh sa u përket vizitorëve të huaj ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra përfshirë këtu edhe vende të tjera.
Sipas ASK-së pjesë e anketës ishin 209 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
