Kosova pa njohje qe dy vite, Osmani thotë se duhet të jemi ‘durimtarë’
Për më shumë se dy vite, Kosovës nuk i ka ardhur asnjë njohje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po pretendon se është bërë progres dhe se duhet “të jemi durimtarë”.
Në një intervistë për mediumin “Exit News”, Osmani është pyetur edhe për strategjinë që pushteti aktual i Kosovës, ka për të marrë njohje të reja, sidomos nga pesë shtetet anëtare të BE-së.
Me disa madje, Osmani tha se ka bashkëpunim të lartë për ekonomi, njohje të dokumenteve, turizmit dhe kulturës, dhe sipas saj, krejt çka ka mbetur është “njohja formale”.
“Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me mosnjohësit e tjerë, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm duhet të jemi të durueshëm.” – tha ajo.
Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Republikën e Kosovës. Kjo ka ndodhur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pasi Kosova kishte nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.
Në dy vitet e fundit është folur shumë për njohjen nga Greqia. Gazsjellësi amerikan dhe njohja nga Greqia janë parë të ndërlidhura.
Me refuzimin që Qeveria Kurti ia bëri projektit të gazsjellësit amerikan, janë zbehur gjasat që ky vend ta njoh se shpejti Republikën e Kosovës.
Vlen të theksohet se në lidhje me mungesën e njohjeve të reja, ka marrë kritika të shumta ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

