Kosova nënshkruan marrëveshje me Bangladeshin për heqjen e vizave për ata që kanë pasaporta diplomatike
Zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka njoftuar se Kosova ka arritur marrëveshje me Bangladeshin për heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.
Kështu ka bërë të ditur Ahmeti në shkrimin e tij në Facebook.
Ahmeti po qëndron për vizitë zyrtare në këtë shtet ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Banglladeshit.
Shkrimi i plotë i tij:
Sot, së bashku me z. Masud Bin Momen, Sekretari i Lartë për Punë të Jashtme, zhvilluam konsultimet politike në mes të dy Ministrive tona të Jashtme.
E njoftova delegacionin bengal për arritjet e Republikës së Kosovës dhe planet për të ardhmen. Poashtu, përgëzova arritjet dhe progresin e shtetit të Banglladeshit.
Gjatë takimit diskutuam për Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor, Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik, Marrëveshjen për Promovimin e Investimeve dhe Marrëveshjen për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimit të Evazionit Fiskal.
E falenderova shtetin e Banglladeshit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Ndërsa, pas takimit së bashku me z.Momen nënshkruam Marrëveshjen e Heqjes Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Zyrtare.
