Korea e Veriut njeh pavarësinë e republikave të vetëshpallura Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë
Sipas medias shtetërore ruse, Korea e Veriut ka njohur pavarësinë e dy “republikave popullore” separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën Lindore.
Njoftimi i së mërkurës e bën Korenë e Veriut vendin e tretë pas Rusisë dhe Sirisë që njeh dy entitetet separatiste, Republikën Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikën Popullore të Luhanskut (LPR), të dyja në rajonin e Donbasit të Ukrainës.
Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka njoftuar të mërkurën se Ambasada e Koresë së Veriut në Moskë e ka konfirmuar njohjen e pavarësisë së dy entiteteve.
Korea e Veriut ka shprehur edhe më parë mbështetjen për aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Kujtojmë se, Rusia, e cila ka mbështetur dy rajonet separatiste që nga viti 2014, ka njohur pavarësinë e tyre në prag të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt në një lëvizje të dënuar nga Kievi dhe Perëndimi si të paligjshme.
Megjithatë, vendimin për nisjen e luftës Kremlini e ka justifikuar duke thënë se po mbronte nga “gjenocidi” rusishtfolësit që jetojnë në rajonin e Donbasit. Pretendime këto të cilat janë hedhur poashtë nga Kievi dhe Perëndimi, duke thënë se është vetëm një pretekst për kapjen e zonave të territorit të Ukrainës.