Komisioni për Reformën Zgjedhore përfundon punën, Tahiri: Propozimet do të dërgohen në Kuvend
Kryetari i Komisionit Ad Hoc të Kuvendit për Reformën Zgjedhore, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ky komision sot ka përmbyllëm punën.
Ai ka bërë me dije se të gjitha propozimet e komisionit do të dërgohen në Kuvend për miratim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është arritur një konsensus normativ që sistemi zgjedhor i Kosovës të avancohet në një dimension të ri.
“Si Kryetar i Komisionit Ad Hoc të Kuvendit për Reformën Zgjedhore, jam shumë lumtur që pas një angazhimi serioz e përmbajtjesor, sot përmbyllëm punën e komisionit duke përfunduar të gjitha propozimet që do t’i shkojnë Kuvendit për miratim. Pas një angazhimi sistematik për muaj me radhë, duke iu përgjigjur një klime të debatit tematik e gjithëpërfshirës rreth reformave, kemi ndërtuar një konsensus normativ që sistemin zgjedhor të Kosovës e avancon në një dimension të ri, duke iu përgjigjur kërkesës për transparencë, demokraci e besim, paralelisht me aderimin në standardet ndërkombëtare e demokratike bashkëkohore”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka falënderuar të gjitha partitë politike për kontributin e dhënë.
“Jam shumë mirënjohës ndaj të gjitha grupeve parlamentare për konstruktivitetin dhe kohezionin e plotë me të cilin iu kemi qasur reformave, si rezultat i të cilit, sot kemi arritur ta përmbyllim një proces vital për demokracinë në vendin tonë. Shpresoj shumë që edhe Kuvendi do t’i trajtojë e formalizojë së shpejti propozimet e reformës zgjedhore, si një hap drejt fuqizimit të demokracisë dhe rritjes së sigurisë e cilësisë së proceseve zgjedhore demokratike”, ka shkruar Tahiri.