Kina kryen 'sulme me raketa' në ngushticën e Tajvanit
Kina ka njoftuar se ka kryer "sulme me raketa precize" në ngushticën e Tajvanit dhe në ujërat jashtë bregut lindor të Tajvanit, si pjesë e stërvitjeve ushtarake që kanë ngritur tensionet në rajon në nivelin më të lartë në dekada.
Më herët Kina njoftoi gjithashtu se stërvitjet ushtarake nga marina e saj, forcat ajrore dhe departamentet e tjera janë duke u zhvilluar në gjashtë zona përreth Tajvanit, të cilat Pekini pretendon se janë territori i tij, dhe mund t’i aneksojë me forcë nëse është e nevojshme.
Ndërkohë, ministri japonez i Mbrojtjes Nobuo Kishi tha se pesë nga raketat e lëshuara kineze ranë brenda Zonës Ekonomike Ekskluzive të Japonisë. Ai shtoi se Japonia rënien e raketave e sheh si "kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Japonisë dhe sigurinë e popullit japonez".
Stërvitjet ushtarake kineze u nxitën nga një vizitë e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan dhe kanë për synim të reklamojnë kërcënimin e Kinës për të sulmuar republikën vetëqeverisëse të ishullit.
Së bashku me lëvizjet e saj për të izoluar Tajvanin në mënyrë diplomatike, Kina poashtu prej kohësh ka kërcënuar me hakmarrje ushtarake në rast të ndonjë lëvizjeje nga ishulli për të forcuar pavarësinë.
