Kina: Kemi kryer sulme me raketa precize në Ngushticën e Tajvanit - NACIONALE

Kina: Kemi kryer sulme me raketa precize në Ngushticën e Tajvanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina tha se kreu sulme me raketa precize në Ngushticën e Tajvanit të enjten si pjesë e ushtrimeve ushtarake, të cilat i kanë rritur tensionet në rajon në nivelin më të lartë në dekadat e fundit.

Më herët, autoritetet kineze njoftuan se ushtrimet ushtarake të forcave detare, ajrore dhe të departamenteve të tjera janë duke u zhvilluar në gjashtë zona përreth Tajvanit, të cilat Pekini i cilëson si territor të vetin, që mund ta aneksojë edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

Këto ushtrime u nxitën nga vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan dhe për qëllim e kanë paraqitjen e rrezikut për sulmin ndaj ishullit vetëqeverisës. Përpos lëvizjeve për ta izoluar ishullin në rrafshin diplomatik, Kina ka kërcënuar për një kohë të gjatë me hakmarrje ushtarake për shkak të lëvizjeve për ta forcuar pavarësinë me përkrahjen e aleatëve përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“Sulme me raketa precize me rreze të gjatë, të armatosura e me municion të vërtetë, u kryen në caqe të përzgjedhura në zonën lindore të Ngushticës së Tajvanit”, tha Komanda Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se e vëzhgoi hedhjen e raketave kineze të tipit “Dongfeng” rreth orës 13 e 56 të enjten. Kjo ministri tha se përdori sisteme të ndryshme për paralajmërim të hershëm për ta përcjellë hedhjen e raketave, të cilat u drejtuan për në ujërat në verilindje dhe juglindje të Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes tha se përcolli raketa me rreze të gjatë dhe hedhje të municionit në ishujt periferikë në Matsu, Wuqiu dhe Dongyin.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se forcat e saj janë në gjendje gatishmërie dhe duke e vëzhguar situatën, ndërkohë duke e synuar shmangien e tensioneve. Në Tajvan u mbajtën ushtrime të mbrojtjes civile javën e kaluar.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, raportoi se ushtrimet ishin operacione të përbashkëta, të përqendruara në “bllokim, sulme me cak në det, sulme me cak në tokë dhe kontrollim të hapësirës ajrore”.

Përderisa Shtetet e Bashkuara nuk kanë thënë se do të intervenojnë, ky shtet ka baza dhe asete në rajon, përfshirë grupet e betejave me aeroplanmbajtëse.

Të enjten, forcat detare amerikane thanë se aeroplanmbajtësja “USS Ronald Reagan” është duke operuar në Detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit, si pjesë e “operacioneve normale dhe të planifikuara”./Nacionale

Lajme të ngjashme