Këshilli i Sigurimit i OKB-së me takim urgjent për shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar rrjedhjet në tubacionet e gazit Nord Stream nën Detin Baltik për të cilat BE tha se ishte "rezultat i një akti të qëllimshëm".
Sipas diplomatëve, me kërkesë të Rusisë, këshilli prej 15 anëtarësh do të mblidhet të premten.
Disa liderë evropianë akuzuan Rusinë për shkaktimin e shpërthimeve dhe i përshkruan rrjedhjet si "sabotim".
Megjithatë, Rusia, mohoi çdo përgjegjësi me Kremlinin duke thënë se pretendimet për përfshirjen e Rusisë në sabotazhin e dyshuar janë "të parashikueshme, absurde dhe idiote".
Agjencia e Energjisë e Danimarkës konfirmoi të martën tre rrjedhje në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.
Gazsjellësi Nord Stream 2 në pronësi ruse, me origjinë nga Rusia dhe që kalon nën Detin Baltik në Gjermani, u ndërtua për të dyfishuar vëllimin e gazit.
Megjithatë, sapo mbaroi ndërtimi, Gjermania vendosi të ndalojë operacionet pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt.
Rusia ndaloi rrjedhën e gazit nga gazsjellësi Nord Stream 1 më 31 gusht.
