Kabashi-Ramaj: Prokuroria të hetojë pamjet e rreme të publikuara nga Kurti për fabrikën e prodhimit të dronëve - NACIONALE

Kabashi-Ramaj: Prokuroria të hetojë pamjet e rreme të publikuara nga Kurti për fabrikën e prodhimit të dronëve

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputetja PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, të cilat i ka proklamuar Qeveria Kurti.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare.

Sipas saj, qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.

“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, ka thënë ajo.

“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, është shprehur Kabashi-Ramaj, duke dhënë detaje tjera.

“Situatë të ngjashme nga ish-kryeministri kemi pasur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, por asnjë qytetarë nuk ka parë plan të qartë, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme”, është shprehur ajo.

Lajme të ngjashme