“Jemi në luftë”: Ekuadori dislokon më shumë se 75.000 ushtarë e policë për t’i luftuar bandat e drogës
Qeveria e Ekuadorit ka dislokuar më shumë se 75.000 ushtarë e policë në katër provincat që po ballafaqohen më së shumti me dhunë, tha ministri i Punëve të Brendshme.
Autoritetet gjithashtu kanë shpallur orë policore gjatë natës në ato pjesë të vendit si pjesë e një “faze të re” në “luftën” kundër bandave kriminale, raporton televizioni BBC.
Që nga ardhja në pushtet në nëntorin e vitit 2023, presidenti Daniel Noboa është munduar që ta frenojë dhunën e lidhur me drogën. Sidoqoftë, Ekuadori regjistroi nivel rekord të vrasjeve vitin e kaluar.
Noboa gjithashtu e ka bërë Ekuadorin pjesë të një aleance prej 17 shtetesh, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim të luftimit të karteleve të krimin në Hemisferën Perëndimore.
“Jemi në luftë” – iu tha ministri i Punëve të Brendshme, John Reimberg, banorëve të provincave El Oro, Guayas, Los Rios dhe Santo Domingo de los Tsachilas. “Mos ndërmerrni ndonjë rrezik, mos dilni jashtë, qëndroni në shtëpi” – shtoi ai.
Shtrirja gjeografike e Ekuadorit – mes Kolumbisë e Perusë, prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë – e ka bërë atë vend kyç të transitit për drogën ilegale.
Rreth 70 për qind e kokainës së prodhuar në Kolumbi e Peru vlerësohet se transportohet përmes Ekuadorit./Nacionale