Izraeli thotë se pikëkalimi në Rafah do të hapet së shpejti për ta lejuar largimin e palestinezëve
Izraeli ka njoftuar se do ta hapë pikëkalimin kufitar mes Gazës dhe Egjiptit në Rafah ditëve në vijim për ta lejuar largimin e palestinezëve nga enklava e rrënuar nga lufta.
Organi ushtarak izraelit, Cogat, tha se daljet do të “lehtësohen përmes bashkërendimit me Egjiptin, pas miratimit të sigurisë nga Izraeli dhe nën vëzhgimin e misionit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se procesi do të jetë “i ngjashëm me mekanizmin që operoi në janar”, kur ky pikëkalim ishte hapur gjatë një armëpushimi të mëparshëm, raporton televizioni BBC.
Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se kjo është shprehje e mbështetjes nga Izraeli për armëpushimin e tanishëm me Hamasin, i cili nisi para shtatë javësh.
Megjithatë, Egjipti mohoi se është duke u bashkërenduar me Izraelin për ta rihpaur pikëkalimin kufitar në Rafah.
Shërbimi Shtetëror i Informacionit citoi një burim egjiptian të ketë thënë se “nëse arrihet një marrëveshje për ta hapur pikëkalimin, do të jetë për të dyja drejtimet, për të hyrë e për të dalë nga Rripi i Gazës, në pajtim me planin e presidentit amerikan, Donald Trump”.
Ky pikëkalim ka qenë kryesisht i mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur ana palestineze ishte marrë nën kontroll nga forcat izraelite.