Izraeli godet aeroportin e Aleppos në Siri
Duke cituar burime ushtarake, media shtetërore siriane ka njoftuar se Izraeli ka nisur një sulm me raketa ditën e mërkurë duke synuar aeroportin në qytetin sirian të Alepos.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues i luftës i opozitës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tha në një deklaratë se Izraeli ka hedhur katër raketa në një pistë në Aeroportin Ndërkombëtar të Aleppos dhe magazinat përreth tij. Grupi pretendoi se magazinat me gjasë përmbanin ngarkesa me raketa iraniane.
Kujtojmë se gjatë viteve të fundit, Izraeli ka kryer qindra sulme në objektiva brenda pjesëve të kontrolluara nga qeveria e Sirisë.
Edhe në muajin qershor, sulmet ajrore izraelite nxorën jashtë funksionit përkohësisht Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut.
