Itali: Tentativa për grabitje përfundon në tragjedi, vdes 46-vjeçari shqiptar gjatë arratisjes
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një shtetas shqiptar 46 vjeç ka humbur jetën pas një tentative të dështuar për të grabitur një vilë private. Viktima gjeti vdekjen aksidentalisht ndërsa përpiqej t’i shpëtonte ndjekjes, pasi u zbulua nga pronarët e banesës.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, shkruan Top Channel, 46-vjeçari kishte hyrë në banesë i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorë. Të zotët e shtëpisë, pasi kanë diktuar praninë e hajdutëve, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër për t’i trembur. Kjo ka shkaktuar panik te grupi i autorëve, të cilët kanë tentuar të largohen me nxitim.
Gjatë hedhjes nga ballkoni, nga një lartësi prej rreth dy metrash, shqiptari është dëmtuar rëndë duke pësuar një çarje të thellë në këmbë. Plaga ka shkaktuar hemorragji të menjëhershme dhe masive. Megjithëse arriti të përshkonte rreth 20 metra në arrati, 46-vjeçari u rrëzua në tokë me lëndim të rëndë në këmbë.