Ishte shtrirë në rrugë pa vetëdije, zyrtarët e Njësisë Speciale shpëtojnë jetën e një gruaje në rrugën Vushtrri-Mitrovicë
Një intervenim i shpejtë dhe profesional i zyrtarëve të Drejtorisë së Njësive Speciale Intervenuese ka rezultuar në shpëtimin e jetës së një gruaje që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, përgjatë magjistrales Vushtrri-Mitrovicë.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë patrullimit në atë zonë, zyrtarët policorë kanë hasur një person të gjinisë femërore të shtrirë në tokë dhe pa vetëdije. Ata janë ndalur menjëherë dhe i kanë ofruar ndihmën e parë, duke vepruar me profesionalizëm dhe efikasitet.
Si rezultat i reagimit të tyre të menjëhershëm, gruaja ka arritur të këndellet dhe është mbajtur nën përkujdesje deri në momentin kur ka arritur ambulanca, e cila më pas ka vazhduar me trajtimin mjekësor të saj.
“Kjo dëshmon se zyrtarët policorë edhe përkundër angazhimeve dhe detyrave tjera në terren, gjenden gjithmonë aty për t’u kujdesur dhe për të shpëtuar jetën e qytetarëve, veprime këto të cilat tregojne efektshmërinë vepruese të zyrtarëve policorë, veprime këto të cilat vijnë edhe si rezultat i trajnimeve profesionale dhe të avancuara të realizuara edhe nga partnerët tanë strategjik siq janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – thuhet në fund.