Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës: IPK-ja është dashur t’i arrestojë policet sot në veri
Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Valon Bajqinca, ka thënë se Inspektorati i Policisë së Kosovës është dashur që t’i arrestoj policët që janë larguar sot në Veriun e Kosovës.
Sipas Bajqinces, policët kanë bërë thirrje për rezistencë dhe trazira në veri të Kosovës.
“Bash u gëzova që Inspektorati Policor i Kosovës menjëherë i arrestoj në mënyre spektakolare policet që bënë thirrje për rezistence dhe trazira në veri të Kosovës. Kështu punohet edhe kështu ish dashtë me e bo një status unë nëse vërtete kish ndodhe një gjë e tillë. Iu ka qellu sharra në gozhde a qysh i thojnë regjisoreve të filmave aksion nga Hajvalia e largët”, ka shkruar ai.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.