Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA: Debati për gazin amerikan është për sigurinë kombëtare të Kosovës - NACIONALE

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA: Debati për gazin amerikan është për sigurinë kombëtare të Kosovës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik.

Ajo ka bërë me dije se ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë.

“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë. Në botën e sotme, e cila po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë”, ka shkruar ajo, duke treguar për rendësin e këtij projekti.

“Ato zhvillohen me energji, me zinxhirë furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga krizat. Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës. Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme. Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme