Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë kundër shamisë: Institucionet le të merren me plisin - NACIONALE

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë kundër shamisë: Institucionet le të merren me plisin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, është përshirë ne debatin që po zhvillohet në Kosovë rreth lejimit apo jo të mbulesës fetare në shkolla.

Lauka, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar deklaratën dhe qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti i cili ka thënë se është pro lejimit të shamisë mbi moshën 16-vjeçare.

“Km Albin Kurti paskërka zbuluar se mosha e përshtatshme për të vënë vajzat shaminë, na qenkërka 16 vjeç. Se nga e ka nxjerrë ai këtë perfundim nuk dihet, por dihet mirë që, me kushtetutën e Kosovës mosha 18 vjeç konsiderohet si e pjekurise (e drejta e votës). Gjithashtu, dihet qe sistemi ynë arsimor njeh uniformën shkollore si të detyrueshme, e cila nuk e përmban shaminë. Po ashtu, dihet që shamia nuk është element i traditës shqiptare. Qeveria e Kosovës paskërka premtuar se, se shpejti, do ta gezojë xhematin me një projektligj per fetë, i cili do të zgjidhë edhe çështjen e shamisë”, ka shkruar Lauka.

Sipas tij, ky debat po nxitet nga “qarqet” që nuk ia duan të mirën kombit shqiptarë. Dhe, siç mendon ish-ambasadori, shqiptarët kanë simbolet e veta kombëtare, sikurse plisin e bardhë dhe nuk kanë nevojë për një projektligj për shaminë.

“Ne si shqiptarë kemi të tjera simbole, si flamuri kombëtar, plisi i bardhë, etj. Ka disa vite që, bashkë me shoqatën e njohur "Bytyçi" kemi ngritur çështjen e caktimit të një dite kushtuar plisit shqiptar, një festë në rang kombëtar, por as Prishtina, as Tirana nuk e kanë vënë ujët në zjarr per këtë gjë, ndërkohë që plot zell mbulojnë selitë e kryeministrive me ngjyrat e ylberit-simbolit të komunitetit LGBT, ditën e caktuar për ta”, ka shkruar ai, duke kritikuar qeverinë edhe për ditën e caktuar për komunitetin LGBT.

“A nuk paska plisi i shqiptarëve të drejtë të ketë një ditë të tijën, siç e ka një të tillë komuniteti i kufizuar, LGBT, apo siç e kanë bimë a kafshë të caktuara? Para se të merren me shaminë, institucionet tona le të merren me plisin dhe te miratojnë një ditë feste, në të cilën, selitë kryeministrore të Prishtinës dhe Tiranës të ndriçohen me dritën e bardhë, dritën e bekuar të Perëndisë që është edhe ngjyra e e simbolit tonë kombëtar- plisit”, ka përfunduar Lauka.

Lajme të ngjashme