Irani u godit nga një tërmet, 580 persona u plagosën
Një tërmet me magnitudë prej të paktën 5.4 ballë goditi Iranin veriperëndimor të mërkurën dhe media shtetërore iraniane raportoi se rreth 580 njerëz u plagosën.
“Rreth 580 persona janë lënduar nga ky tërmet deri më tani dhe për fat të mirë askush nuk ka humbur jetën”, citohet të ketë thënë Mohammad Hassan Nami, kreu i agjencisë shtetërore të menaxhimit të krizave nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.
Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit Khoya në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor. Tërmeti goditi rreth 11.6 kilometra nga Khoy, në një thellësi prej 10 kilometrash, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA, duke raportuar një magnitudë prej 5.7 ballë.
Qendra Gjermane e Kërkimeve për Gjeoshkencat (GFZ) më herët tha se tërmeti kishte një magnitudë 5.5 ballë dhe ishte afër zonës kufitare të Armenisë, Azerbajxhanit dhe Iranit. Mediat iraniane raportuan një magnitudë 5.4 ballë. /Nacionale/