I gjejnë heroinë në gomën rezervë të veturës – arrestohet një person në fshatin Komoran
Policia e Kosovës përmes një Komunikate Për Media ka bërë të ditur se kanë arrestuar një qytetar me inicialet I.B në fshatin Komoran.
Të njejtit policia gjatë kontrollit të makinës, konkretisht në gomën rezervë i kanë gjetur një sasi droge, e cila dyshohet të jetë heroinë.
Komunikata e plotë e Policisë:
“KOMUNIKATË PËR MEDIA
Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në trafikim me narkotik
Prishtinë, më 20 gusht 2022
Hetuesit policorë të Sektorit Qendror të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar merret me trafikim me lëndë narkotike, sot, më 20.08.2022, në ora 12:00, në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Komoran), kanë ndalur një veturë, pasi dyshoje se më të po kryhej bartje e lëndëve narkotike.
Policia gjatë kontrollit të veturës në bagazh, te rrota rezervë, kanë hasur gjashtë paketime me substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit heroinë. Po ashtu janë konfiskuar edhe dëshmi tjera.
Policia duke zbatuar procedurat, në koordinim me organet e drejtësisë, ka kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit: I.B., (viti i lindjes 1977). Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e ndaluar.
I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”. Me aktvendim nga prokurori të njëjtit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.”