Hoti i reagon deklaratave të Kurtit për luftë: Po tenton t'i mbulojë dështimet në qeverisje
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, në lidhje me deklarimet e shpeshtuara të kryeministrit Kurti rreth mundësisë së një luftë të nisur nga shteti serb, ka thënë se asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendojë të nis luftë.
Ai ka rikujtuar faktin që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s dhe kjo e fundit është e vendosur edhe në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Hoti ka thënë se e gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik nëse nuk zbatohen politikat e duhura dhe nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian.
Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti se deklaratat e tij rreth luftës po i bën me qëllim që të mbulojë dështimin në qeverisje.
Postimi i plotë në Facebook:
Nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe as në rajon.
Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendojë të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s.
E gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese.
Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale.