Hezbollahu vret me dron dy rezervistë izraelitë, Izraeli pranon se dështoi ta rrëzonte - NACIONALE

Hezbollahu vret me dron dy rezervistë izraelitë, Izraeli pranon se dështoi ta rrëzonte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy ushtarë rezervë të Izraelit u vranë të hënën pasdite nga një sulm me dron të ngarkuar me lëndë shpërthyese nga Hezbollahu kundër një pozicioni ushtarak afër Metulas, në veri të Izraelit, njoftoi të martën ushtria izraelite.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se u përpoqën, por dështuan që ta pengonin dronin e ngarkuar me lëndë plasëse që përfundimisht i goditi dhe i vrau ushtarët, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Dy rezervistët e vrarë u identifikuan si Rreshter Dan Kamkagi, 31 vjeç, nga Kfar Oranimi, dhe Rreshter Nahman Matan Hertz, gjithashtu 31 vjeç, nga Elazari. Të dy ishin pjesë e Batalionit të 6551-të të Brigadës së 551-të.

Ushtria njoftoi se një ushtar tjetër pësoi lëndime të lehta nga sulmi.

Hezbollahu e mori përgjegjësinë për këtë sulm.

Pas sulmit, ushtria izraelite tha se aeroplanët luftarakë të saj goditën një ndërtesë që përdorej nga Hezbollahu në Srebbine të Libanit, si dhe një pikë për hedhjen e raketave në Ayta ash-Shab.

Trupat izraelite gjithashtu bombarduan zona afër Souaneh-it me artileri për t’i “larguar kërcënimet”, shtoi ushtria.

Para sulmit vdekjeprurës me dron, rreth 30 raketa ishin hedhur nga Libani drejt Rrafshnaltës së Golanit, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Hezbollahu e mori përgjegjësinë edhe për këtë sulm, duke thënë se kishte hedhur dhjetëra raketa në drejtim të një baze ushtarake në Rrafshnaltën e Golanit si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të mëhershëm izraelit në verilindje të Libanit.

Lajme të ngjashme