Haxhiu i sulet KGJK-së, tenton t’iu tregojë si të veprojnë me gjyqtarët serbë të dorëhequr
Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, në një konferencë për shtyp ka folur për prokurorët dhe gjyqtarët serbë të dorëhequr. Ajo ka ushtruar presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK-së), duke bërë thirrje që t’ia dorëzojnë emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, pasi po i pamundësohet ushtrimi i përgjegjësive.
Haxhiu, përmes konferencës, ka "sulmuar" KGJK-në, pasi, siç tha ajo, nuk po ia dorëzojnë emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, duke pretenduar se po veprojnë kundërligjshëm.
“Dorëheqja është fakt juridik që sjell përfundimin e mandatit dhe, pasi ky efekt është prodhuar, ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Legjislacioni në fuqi nuk i jep asnjë kompetencë as Këshillit Prokurorial dhe as Këshillit Gjyqësor që të rivendosë një mandat që ka përfunduar. Ushtrimi i një kompetence që nuk ekziston do të ishte vetë shkelje e parimit të legalitetit, bazuar po ashtu në legjislacionin në fuqi. Në rast të dorëheqjes së prokurorit apo gjyqtarit, këshillat obligohen që t’i propozojnë Presidentit lirimin nga detyra. Ky është një detyrim ligjor dhe jo një mundësi interpretimi", tha Haxhiu.
"Prandaj, i jam drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial që të më dorëzojnë emrat e atyre që kanë dhënë dorëheqje nga sistemi. Pra, mua më pamundësohet ushtrimi i përgjegjësive, sepse për momentin Këshilli Gjyqësor nuk i dorëzon dorëheqjet, pra kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje. Unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjekë praktikat e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha Haxhiu ndër të tjera.