Hasani: Presioni ndërkombëtar për votimin e Speciales ka qenë i papërballueshëm në kuptimin politik të kohës
Nait Hasani, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, tregoi se iu kërkua të votojë për krijimin e Gjykatës Speciale, edhe pse ai vetë ka qenë kundër themelimit të një institucioni që do të shqyrtonte veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Hasani tha se ky proces ishte produkt i një presioni të jashtëzakonshëm dhe të pakapërcyeshëm nga komuniteti ndërkombëtar.
“Presioni ndërkombëtar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ka qenë i papërballueshëm në kuptimin politik të kohës, dhe me premtimet po ashtu se ne do të qëndrojmë me juve, në mbrojtje të vlerave, dhe nuk do të lejojmë keqpërdorimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e akuzuarve, por që do të merret me çështjen e individëve, po kjo politikë ka qenë jo e drejtë, për shkak se është kërkuar drejtpërdrejt edhe nga unë që ta jap votën, pikërisht për Gjykatën. Në bisedë të drejtpërdrejtë me Hashimin, Kadrinë, brenda grupit, kam thënë ‘jo’, s’ka mundësi ta votoj një gjykatë që gjykon luftën tonë. Askund në botë nuk ka gjykata etnike, gjykata bëhen për krime lufte, pavarësisht etnitetit, gjuhës, fesë. Por te ne ishte e përcaktuar, Gjykatë Speciale për dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Hasani.