Hamza: Shtyrja e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së rikonfirmon se Specialja po vepron si instrument politik - NACIONALE

Hamza: Shtyrja e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së rikonfirmon se Specialja po vepron si instrument politik

2 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për shtyrjen e radhës të datës së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hamza ka thënë se shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar vetëm sa e forcon bindjen se Gjykata Speciale në Hagë nuk po udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.

“Shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së vetëm sa e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë”, ka deklaruar Hamza.

Sipas tij, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng nga një proces që ai e ka cilësuar të padrejtë dhe të pafund.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng të këtij procesi të padrejtë dhe të pafund. Paraburgimi i stërzgjatur u është shndërruar atyre në një dënim të padrejtë dhe Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Hamza ka kundërshtuar edhe datën e re të caktuar për aktgjykim, duke e cilësuar atë si shumë të largët për përfundimin e këtij procesi.

“Çdo ditë e një procesi të padrejtë është e papranueshme dhe 16 shtatori është datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie!”, ka përfunduar kryetari i PDK-së.

Lajme të ngjashme