Hamza me bizneset e Prizrenit: Zotohet për lehtësira fiskale dhe mbështetje financiare
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot Prizrenin, ku është takuar me biznesmenë dhe zejtarë lokalë në ambientet e ESNAF-it. Gjatë takimit, ai ka theksuar rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me sektorin privat si bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Hamza ka prezantuar masat fiskale që synojnë lehtësimin e barrës burokratike dhe financiare për bizneset.
Ndër to, ai ka veçuar ndryshimin e mënyrës së pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, e cila do të realizohet pas shitjes së tyre dhe jo në momentin e kalimit në kufi.
Po ashtu, ka njoftuar se bizneset me qarkullim deri në 10 mijë euro do të përjashtohen nga tatimi, ndërsa ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen mbi bazën e fitimit real.