Hamiti për veprimet e VV'së: Nga shkelja në shkelje, rendi kushtetues i Kosovës po rrënohet përfundimisht
Muhamet Hamiti nga LDK-ja ka thënë se partia-shtet e Albin Kurtit po kalon nga një shkelje në shkeljen tjetër të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Hamiti ka ngritur alarmin se, për shkak të klasës politike të papërgjegjshme që ka Kosova në krye, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës po rrënohet përfundimisht.
Reagimi i plotë i Hamitit:
“E shkelin Kushtetutën, krijojnë precedente. Më pas thirren në ato precedente për ta shkelur sërish Kushtetutën. Me zell, pamëshirshëm – shkelje me dhjetëra herë. Punë e madhe që Gjykata Kushtetuese ka thënë se s’bën më kështu! Punë e madhe që Kushtetuta e Kosovës është e qartë për këtë apo atë çështje!
Shembulli ilustrativ se si argumenton partia-shtet: vitin e kaluar nuk është konstituuar Kuvendi brenda 30 ditësh. Pse të konstituohet tash brenda 30 ditësh?!
Albin Kurti me VV-në e tij s’do kurrsesi të krijojë precedent të vetin të respektimit të afateve kushtetuese.
Ndërkohë, thirren prore në përkrahjen popullore. Përkrahje për çka? Për ta shkelur Kushtetutën, për ta nëpërkëmbur sundimin e ligjit?!
Kështu, prej shkeljes në shkelje, rendi kushtetues i Republikës së Kosovës rrënohet përfundimisht. Për fat të keq të këtij vendi që ka zgjedhur klasë politike të papërgjegjshme.”