LDK i përgjigjet Nacionales për akuzat e Ferajt: Shpërfaqi mendësinë e dehumanizimit të kundërshtarit politik - NACIONALE

LDK i përgjigjet Nacionales për akuzat e Ferajt: Shpërfaqi mendësinë e dehumanizimit të kundërshtarit politik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshillitari i Qeverisë Kurti për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, Hysamedin Feraj, bëri një sulm të pambështetur ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Çka thonë nga LDK-ja?

Feraj akuzoi Abdixhikun se ishte bërë “drejtues kori” i një rrëfimi që paraqiste Serbinë dhe Vuçiqin si “paqësore” e “engjëllore” ndërsa Kosovën e Kurtin si “luftënxitëse” e “djallëzore”.

Për këto pretendime, aktivisti i VV-së që mban pozicion shtetëror nuk ka ofruar asnjë mbështetje. Një gjë të tillë ai e bëri pas kritikave që mori Kurti në lidhje me deklaratat e tij për mundësinë e luftës në Kosovë.

Nacionale ka pyetur LDK-në në lidhje me këto pretendime, dhe përgjigja nga kjo parti e ofruar nga zëdhënësja politike Sibel Halimi ishte si vijon:

“Postimi i papranueshëm i radhës nga z. Feraj, tani nga pozita e këshilltarit të kryeministrit, shpërfaq mendësinë e urrejtjes dhe të përçarjes, tendencën e dehumanizimit të kundërshtarit, duke tentuar pasukseshëm ta mbrojë shefin e tij për deklaratën e papërgjegjshme dhe dëmtuese për mundësinë e një lufte të re, deklaratë tejet e dëmshme për imazhin e vendit.”

Halimi Nacionales i foli edhe për një pretendim të një gazetari me emrin Bujar Vitia, që thoshte se ishte larguar nga mbledhja prej kabintetit të ministrit të shëndetësisë.

LDK u shpreh se një gjë e tillë ndodhte për shkak të “paaftësisë në qeverisje” dhe “mungesës së rezultateteve të prekshme në përditshmërinë e qytetarëve”.

“Një diskurs të tillë - të ngjashëm, e shpërfaqi sot edhe kabineti i ministrit të shëndetësisë, i cili e largoi nga mbledhja një gazetar, pa asnjë arsye logjike e të pranueshme. Paaftësia në qeverisje, mungesa e rezultateve të prekshme në përditshmërinë e qytetarëve, po e shpien këtë kabinet në skajet e mosdurimit ndaj çdo kritike, edhe asaj më konstruktives.” – u shpreh znj. Halimi.

Lajme të ngjashme