Google Street View në Kosovë: Si të kërkoni që shtëpia apo vetura juaj të mjegullohet
Me ardhjen e Google Street View për herë të parë në Kosovë, shumë qytetarë kanë filluar t’i eksplorojnë virtualisht lagjet, rrugët dhe pronat e tyre.
Megjithatë, jo të gjithë e dinë se Google ofron mundësinë që një shtëpi, veturë, lokal apo pronë tjetër të mjegullohet – apo të bëhet “blur” – në pamjet e Street View.
Fytyrat e njerëzve dhe targat e automjeteve zakonisht mjegullohen automatikisht për arsye privatësie. Por qytetarët që duan më pak ekspozim në internet mund të kërkojnë që të mjegullohet edhe i gjithë objekti i tyre.
Arsyet për një kërkesë të tillë mund të jenë të ndryshme. Disa persona nuk dëshirojnë që prona e tyre të identifikohet lehtë në internet, të tjerë mund të kenë shqetësime për privatësinë ose sigurinë, ndërsa disa thjesht preferojnë të kenë më shumë kontroll mbi ekspozimin e tyre online.
Për ta paraqitur kërkesën, duhet të ndiqen këta hapa:
- Hapeni Google Maps.
- Hyni në pamjen Street View.
- Klikoni opsionin “Report a problem”.
- Përzgjidhni pjesën që dëshironi të mjegullohet.
- Plotësoni formularin dhe dërgojeni kërkesën te Google.
Kështu, kushdo që nuk dëshiron që shtëpia, oborri, vetura apo një detaj tjetër i pronës së tij të jetë qartësisht i dukshëm në internet, mund ta shfrytëzojë këtë mundësi.
Street View është një mjet i dobishëm për navigim dhe eksplorim, por qytetarët duhet ta dinë se kanë në dispozicion edhe mekanizma për mbrojtjen e privatësisë së tyre.