Gjini për videot e VV-së: I kam pa, më ka dalë gazi, edhe Enver Hoxha i bënte kundër ballistëve
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, teksa ka komentuar videot e publikuar nga Vetëvendosje ku akuzohen pushtet e kaluara për keqpërdorim, ka bërë një krahasim të VV-së me Partinë e Punës në Shqipëri të udhëhequr nga ish-diktatori Enver Hoxha.
Gjini tha në T7 se edhe pushteti i Enver Hoxhës kishte realizuar të tilla video kundër ballistëve.
Ai ka thënë se ka qeshur me video e publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Videot i kam pa, mua më ka dalë gazi, i ka fitu përmbi 50% të votave. Kjo parti nuk punon kurgjo dhe bën propagandë si para 50 vjetëve. Me qenë veç vrojtues, kjo është diçka tjetër, por kur hyn brenda, ky është problem serioz”, ka thënë Gjini.
Kryetari i Gjakovës dhe nënkryetari i AAK-së ka thënë se nuk është befasuar nga qeveria Kurti, ngase s’ka ndërtuar pritje, por thotë se ndihet keq për njerëzit që kanë ndërtuar pritje të mëdha nga ai.
“Më vjen keq prej njerëzve që kanë besu që si të vjen Albini ka me u bë gjithçka mirë. Ata janë të zhgënjym jo unë. Ky besim i atyre njerëzve, përkthehet në dëshpërim, në pezm. Ky është depresion. E ka kriju përshtypjen që ky vend është shkatërru qe 20 vite. Ka kriju percepsion të armikut te kundërshtarët e vet politik”, ka thënë ai.
“Hajnat n’burg… po hajde bre shtini në burg. Tash e ka kuptu që pushteti nuk i shti hajnat n’burg, por është sistemi i drejtësisë”, ka deklaruar Gjini.
