Gërvalla s’komenton zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së, ndërsa për kryesuesin e KPK-së e kishte cilësuar “lajm të mirë”
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka refuzuar të komentojë zgjedhjen e Rrustem Thaçit në krye të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Pas mbledhjes komemorative për veprimtarin Hafiz Gagica, Gërvalla është pyetur nga Gazetarja e Nacionales, Eriola Cacaj në lidhje me zgjedhjen e Thaçit në krye të KGJK-së.
Gërvalla ka e kërkuar që vëmendja të përqendrohet te mbledhja komemorative.
“A ka mundësi ju lutem të respektoni faktin që kemi ardhë për të nderuar një prej njerëzve pa të cilët pavarësia dhe liria e Kosovës nuk do të ishte qenë e mundur dhe shumë do të isha e lumtur sikur të kishim dhe një interesim të mediave në raste të tilla, jo vetëm për t’u marrë me thashetheme edhe me disponime të panevojshme, por për të nderuar njerëzit të cilët kanë dhënë për Kosovën shumë dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë prej saj. E për temat e punës që i kemi, e keni Ministrinë e Drejtësisë, dërgoni pyetjet tuaja dhe me shumë kënaqësi ju përgjigjem. Faleminderit shumë për praninë, mirupafshim”, u përgjigj ajo.
Përkundër heshtjes së Gërvallës për zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së, e njëjta dy muaj më parëkishte reaguar dhe e kishte mirëpritur zgjedhjen e Arian Gashit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e cilësuar atë si “lajm të mirë”.