Gazi amerikan, Ymeri tregon se i ka shkruar ambasadës së ShBA-së: Po përballen me një qasje refuzuese
Deputetja e zgjedhur e LDK-së Janina Ymeri, ka thënë se për shkak të interesit të madh publik për projektin e gazit amerikan, e ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe i është thënë se po përballen me qasje refuzuese nga Qeveria.
Në emisionin “Konfront” në KTV, ajo ka bërë me dije se ShBA-ja po përballet me një qasje refuzuese nga Kosova për këtë çështje.
Ajo ka thënë se është e pakuptimtë të refuzohet kur dihet gjendja me energjinë elektrike.
“Nuk e ka asnjë arsye të justifikueshme për të mos e pranuar këtë projekt. Në diskutim e sipër, i kam shkruar ambasadës Amerikane për shkak të interesimit të madh, jam kontaktuar dhe është ajo që dihet edhe publikisht, po përballen me një qasje refuzuese. Dihet që Qeveria Kurti nuk e ka mundësinë gjeografike e as aleate të thotë jo se bëjmë asnjëherë por e shtyjnë pambarimisht dhe është një mundësi në ikje”, ka thënë ajo.