Franca bëhet shteti i parë i BE-së që ua ndalon fëmijëve rrjetet sociale
Ligjvënësit francezë votuan të martën për t’ua ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale fëmijëve nën moshën 15-vjeçare, duke u bërë shteti i parë në Bashkimin Evropian që vendos një kufizim të tillë moshe.
Australia bëri histori vitin e kaluar, kur e futi në zbatim ndalimin e parë të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16-vjeçare. Qeveria britanike njoftoi masa të ngjashme muajin e kaluar, por ato pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm. Spanja, Greqia dhe Danimarka gjithashtu janë duke planifikuar që të vendosin mosha minimale për përdorim të rrjeteve sociale, raporton televizioni CNN.
Ligjvënësit francezë me shumicë dërrmuese të votave e mbështetën projektligjin e ri. Kjo masë ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga presidenti Emmanuel Macron, i cili tani do ta nënshkruajë atë për ta shndërruar në ligj.
“Rrjetet sociale do të ndalohen për fëmijët nën moshën 15-vjeçare duke filluar nga ky vit shkollor” – shkroi presidenti në rrjetin X pas votimit, duke i falënderuar ligjvënësit për miratimin e projektligjit.
“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e fëmijëve tanë dhe adoleshentëve tanë nuk janë në shitje ose për t’u manipuluar, as nga platformat amerikane, as nga algoritmat kinezë” – kishte thënë Macroni në janar të këtij viti përmes një video-mesazhi.
Presidenti e kishte urdhëruar qeverinë franceze që ta përshpejtonte shqyrtimin e projektligjit në Kuvend me qëllim që legjislacioni të ishte i gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor në shtator.