Feministet i reagojnë Këshillit Prokurorial: Keni qëndrime seksiste, skandaloze e të papranueshme - NACIONALE

Feministet i reagojnë Këshillit Prokurorial: Keni qëndrime seksiste, skandaloze e të papranueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi jo-formal, Kolektivi për Mendim dhe veprim Feminist, i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës, pas deklaratave të tyre.

Keshilli Prokurorial i Kosovës, përmes një komunikate ka etiketuar grupet feministe, duke i quajtur aksionet e tyre para këtij këshilli si aksione devijuese, ofenduese dhe joracionale.

Këshilli ka targetuar posaçërisht grupin jo-formal Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ku dhe ka ngjallur regime nga ky grup.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, KMVF-ja, ka thënë se ky është një qëndrim skandaloz, seksist dhe i papranueshëm.

“Për ne si aktiviste politike, ky është një qëndrim skandaloz, seksist dhe i papranueshëm. Një deklaratë e tillë synon ta sulmojë legjitimitetin e aktivizmit tonë politikë e në instancë të fundit ta disiplinojë atë”, thuhet në reagim.

Tutje KMVF, kanë thënë se nuk i frikësohen as gjobitjeve e as sulmeve, por janë këtu për t’i larguar nga institucionet të gjithë ata që dështojnë të i mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Megjithatë, ne jemi këtu për t'ia rikujtuar KPK-së dhe të gjitha institucioneve publike se përderisa kauzat tona janë të drejta, ne nuk i frikësohemi as gjobitjeve e as sulmeve. Kur ju dështoni t'i mbroni vajzat dhe gratë, më së paku, ne do kërkojmë t'iu çesim jashtë atyre institucioneve. Gjithashtu, ne nuk kemi nevojë për legjitimimin tuaj. Ne duam shkarkime, jo sulme e hi syve’’, thuhet tutje në reagim.

Lajme të ngjashme