Faqja e Qeverisë së Kosovës në Facebook menaxhohet edhe nga një person me lokacionin në Serbi
Shtatë persona menaxhojnë faqen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Facebook që poston aktivitete të Kryeministrit Kurti dhe të pjesës tjetër të kabintetit të qeverisë së tij. Por, njëri prej tyre del se ndodhet në Serbi.
Po flasim për faqen ku u publikua mes tjerash edhe videoja e famshme e Kurtit në serbisht në të cilën ai i thurte lavde ish-politikanit të dyshuar për krime lufte, Oliver Ivanoviq.
Shtatë persona del se menaxhojnë faqen “Qeveria e Republikës së Kosovës”, të krijuar më 26 maj 2021, ose dy muaj pas formimit të Qeverisë Kurti II.
Në pjesën ku tregohet se ku është lokacioni (vend-ndodhja) primare e njerëzve që menaxhojnë faqen, gjashtë rezultojnë se e kanë në Kosovë dhe njëri rezulton se e ka në Serbi.
Nuk dihet nëse personi ndodhet në Serbi edhe fizikisht, apo vetëm virtualisht (online). Por, potencialisht një gjë e tillë mund të jetë problematike për të dhënat e personit dhe të faqes, marrë parasysh që Serbia vazhdon të jetë shtet armiqësor ndaj Kosovës.
