Eskalojnë luftimet Kirgistan – Taxhikistan, raportohet për të paktën 24 të vrarë - NACIONALE

Eskalojnë luftimet Kirgistan – Taxhikistan, raportohet për të paktën 24 të vrarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë shpërthyer përsëri luftimet në kufirin e kontestuar mes Taxhikistanit dhe Kirgistanit. Raportohet se në përleshjet e fundit u vranë së paku 24 persona.

Të dyja republikat ish-sovjetike e kanë akuzuar njëra-tjetrën për rinisjen e luftimeve në zonën e kontestuar, pavarësisht nga arritja e marrëveshjes së armëpushimit.

Përmes një deklarate të publikuar të premten, shërbimi kufitar Kirgiz tha se forcat e tij po vazhdojnë që t’i zmbrapsin sulmet taxhike, raporton gazeta “The Guardian”.

“Nga ana taxhike, bombardimi i pozicioneve të anës kirgize vazhdon dhe në disa zona po zhvillohen beteja intensive”, thuhet në deklaratë.

Më vonë, Ministria e Shëndetësisë e Kirgistanit tha se 24 qytetarë janë vrarë e 87 të tjerë janë plagosur.

Agjencia ruse e lajmeve, “Interfax”, nuk njoftoi se sa prej viktimave ishin nga ushtria. Sidoqoftë, drejtori i komitetit shtetëror kirgiz për siguri kombëtare, Kamchybek Tashiev, citohet të ketë thënë se pasojat në ushtarë kanë qenë të larta.

Lajme të ngjashme