Edhe Dega II e LDK-së në Prishtinë pritet të kërkojë dorëheqjen e Abdixhikut
Presioni ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të rritet edhe më shumë brenda strukturave të partisë.
Sipas burimeve të mirëinformuara të Nacionales, Dega II e LDK-së në Prishtinë, e udhëhequr nga Florian Dushi, pritet të dalë me reagim publik përmes të cilit do të kërkojë dorëheqjen e Abdixhikut nga drejtimi i partisë.
Ky zhvillim do ta rreshtonte edhe këtë degë të rëndësishme të LDK-së përkrah degëve të tjera që tashmë kanë kërkuar përgjegjësi politike pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Më herët, degët e LDK-së në Pejë dhe në Lipjan kanë kërkuar reflektim, llogaridhënie dhe dorëheqje në nivelin më të lartë të partisë, duke e lidhur rezultatin zgjedhor me përgjegjësinë e lidershipit qendror.
Dega e LDK-së në Pejë ka vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja, ndërsa Dega e LDK-së në Lipjan ka kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e kryetarit të partisë, duke e cilësuar atë si standard të përgjegjësisë politike dhe akt reflektimi ndaj mesazhit të dhënë nga qytetarët përmes votës.
LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit u rendit sërish e treta, rezultat që ka shkaktuar pakënaqësi të hapura brenda partisë.