E paraqitën flamurin e Kosovës me 7 yje, Federata Maqedonase e Peshkimit kërkon falje: E paqëllimshme
Pa raportimit të Gazetës Nacionale, Federata Maqedonase e Peshkimit ka kërkuar falje publike për paraqitjen e flamurit të Kosovës me shtatë yje gjatë ceremonisë hapëse të Kampionatit Botëror në Mavrovë.
Në reagimin zyrtar, federata ka thënë se bëhej fjalë për një gabim teknik dhe grafik të paqëllimshëm gjatë përgatitjes së animacioneve nga dizajneri grafik, me ç’rast në ekran janë shfaqur shtatë yje në vend të gjashtë.
“Ky ishte vetëm një gabim teknik dhe grafik i paqëllimshëm”, thuhet në reagim, duke theksuar se rasti nuk kishte asnjë qëllim politik, institucional apo tjetër dhe nuk përfaqëson qëndrimin e Federatës Maqedonase të Peshkimit apo të Komitetit Organizativ.
Federata ka marrë përgjegjësinë për faktin se gabimi nuk ishte vërejtur para ceremonisë dhe i ka kërkuar sërish falje ekipit kombëtar të Kosovës, federatës dhe të gjithë të prekurve.
Sipas saj, synimi është që Kampionati Botëror në Mavrovë të mbetet një ngjarje e sportit, respektit, miqësisë dhe trajtimit të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve.